Festivali i Dibrës ka mundësuar integrimin shpirtëror të shqiptarëve

Advertisement

Duke komentuar situatën e teatrove në mbarë trojet shqiptare, ai potencon se ka paradigma politike edhe në këtë sferë

Vjollca SADIKU

Dibër, 1 tetor – Këto ditë u mbajt edicioni jubilar i 25-të i Festivalit “Teatri Shqiptar në Maqedoni”. Edhe këtë vit, përveç trupave teatrore, në Dibër festivalin e ndoqën edhe ekspertë të dramaturgjisë nga të gjitha trojet shqiptare. Mes tyre ishte edhe dramaturgu kosovar, Prof. Dr. Nebi Islami, i cili gjatë karrierës së tij të pasur në sferën e artit të Talisë ka dhënë shumë. Si njohës i mirë i dramaturgjisë, ai për gazetën KOHA thotë se Teatri i Dibrës ka vlera shumë të mëdha për integrimin shpirtëror të shqiptarëve.

“Është mrekulli të flasësh për rrugëtimin e Festivalit ‘Teatri Shqiptar në Maqedoni’. Nga 25 edicione në Dibër kam ndjekur 23. Nga viti në vit ka krijuar një skemë që na bën krenarë të gjithëve. Me edicionin e sivjetshëm rrumbullakësohen mbi 250 shfaqje, të cilat kanë sjellë drama, komedi, tragjedi, por janë mbajtur edhe konferenca për vlerësimin e shfaqjeve, me çka është ngritur vetëdija te publiku për teatrin. Kjo ka mundësuar që të avancohet procesi i ngritjes së cilësisë së shfaqjeve. Pjesëmarrja ka qenë në kontinuitet nga teatro nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, që është një kualitet i ri me shumë cilësi. Kjo ka mundësuar edhe komunikimin mes shqiptarëve, drejt integrimit tonë, meqë nuk jemi në një shtet, por jemi në katër shtete. Kishim integrim shpirtëror, ky festival e ka bërë këtë të mundur. Integrim shpirtëror. Ky është hapi më i guximshëm. Dibra këtë na e mundësoi, meqë Dibra ka traditë kulturore”, tha Prof. Dr. Nebi Islami.

Një problem shumë i madh, sipas tij, është mosinstitucionalizimi i festivalit. Prof. Dr. Nebi Islami thotë se kjo është një vonesë e jashtëzakonshme.

“Kemi institucionalizimin e Festivalit Teatror ‘Vojdan Çernodrimski’, por nuk kemi institucionalizim të Festivalit të Dibrës. Mbijetesa e festivalit ka qenë falë drejtorit Ylber Nuredini, ju gazetarëve dhe dibranëve në tërësi. Ky është problem politik, prandaj strukturat politike duhet ta rregullojnë. 25 edicione nuk ka arritur t’i bëjë as Tirana, as Prishtina, as Shkupi, e këtu kjo ka ndodhur. Ka pasur festivale në Prizren, Mitrovicë dhe qytete të tjera dhe ato kanë qenë jetëshkurtra. Këtë e ka bërë vetëm Dibra. Duhet të bëhet presion pozitiv për të realizuar institucionalizimin, meqë është problem politik. Pushteti lokal, ata që kanë fuqi në shtet, duhet të angazhohen më shumë në këtë drejtim. Shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet, ata janë autoktonë dhe besoj se një ditë do të institucionalizohet”, tha për gazetën KOHA Islami.

Në bisedën me të, ai thotë se qytetit të Dibrës i duhet edhe një teatër i fuqishëm. “Por kjo nuk varet vetëm nga dëshira, por varet më shumë nga organizimi politik. Teatri ju duhet, ndoshta në fillim edhe duke huazuar artistë, regjisorë e të tjerë. Dibra është qyteti i kulturës, është qytet i ndërgjegjes sonë kombëtare, Dibra është qytet i vitalitetit. Dibra bashkon Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë pikërisht me këtë festival. Kemi aktorë të shkëlqyeshëm dibranë që jetojnë në Shkup, Prishtinë, Tiranë dhe ata duhet të angazhohen”, tha Islami.

Duke komentuar situatën e teatrove në mbarë trojet shqiptare, ai potencon se ka paradigma politike edhe në këtë sferë. “Duke realizuar aktivitetet në teatro me projekte, shpesh bëhen larje parash. Nuk jeton teatri vetëm nëpërmjet projekteve në përgjithësi. Nga viti në vit teatrot, siç u pa edhe sivjet në teatrin e Dibrës, vendosin në skenë tema pa doreza. Kjo është shumë. Kjo situatë është krijuar nga politikanët tanë. Të rinjtë shqiptarë e duan teatrin dhe artin mirë”, tha dramaturgu dhe profesori i njohur Nebi Islami në bisedën që realizuam në Dibër. (koha.mk)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit