Vdes Biljana Pllavshiq, ish presidente e Republikës Srpska e dënuar për krime lufte

Advertisement

Biljana Pllavshiq, ish anëtare e udhëheqjes së kohës së luftës në Republikën Srpska e dënuar për krime lufte ka vdekur në moshën 96- vjeçare në Beograd.

Para Tribunalit të Hagës, ajo e pranoi fajësinë për përndjekje mbi baza politike, racore dhe fetare dhe në vitin 2003 u dënua me 11 vjet burg. Ajo mori pjesë në përndjekjen e boshnjakëve, kroatëve të Bosnjës dhe të popullsisë tjetër joserbe në 37 komuna.

Ajo mbështeti fushatën për ndarjen etnike e cila rezultoi me vdekjen e mijëra civilëve dhe dëbimin e mijëra njerëzve nga komunat në Bosnje dhe Hercegovinë në kushte tejet brutale. Ajo u bënte thirrje forcave paramilitare nga Serbia që t’u ndihmonin forcave të serbëve të Bosnjës në realizimin e synimit për ndarjen e grupeve etnike përmes përdorimit të forcës.

Plavshiq u lirua në vitin 2009, pasi kishte vuajtur një pjesë të dënimit.

Në dëshminë e saj me rastin e pranimit të fajësisë, ajo tha se kishte pranuar përgjegjësinë pasi, siç deklaroi, ishte bindur se mijëra njerëz të pafajshëm ishin viktima të largimit të organizuar dhe sistematik të boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret që serbët e Bosnjës i konsideronin si të tyret.

Gjatë luftës në udhëheqjen politike ajo veproi së bashku me liderë të tjerë të asaj kohe, ndër ta edhe kriminelët e dënuar të luftës Radovan Karaxhiq dhe Momçillo Krajishnik.

Gjatë karrierës së saj politike ajo mbajti këto funksione: anëtare e Presidencës së RS të Bosnjës dhe Hercegovinës (1990–1992), ushtruese e detyrës së presidentit të Republikës serbe në BeH (1992), nënpresidente e Republikës Srpska (1992–1996) dhe presidente e Republikës Srpska (1996–1998). Në vitin 1997 ajo themeloi partinë Aleanca Kombëtare Serbe (SNS).

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit