Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, duke e kritikuar për qëndrimin e tij lidhur me provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe reagimet e tij për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Nga BDI-ja thonë se, pavarësisht kërkesave të përsëritura të studentëve dhe protestave, Shasivari kërkon kohë dhe konsultime për të ofruar një zgjidhje për provimin e jurisprudencës në shqip, e cila pritet të prezantohet në tetor.
Në anën tjetër, BDI-ja e kritikon ministrin se për çështjen e aktgjykimit të Hagës kishte shprehur qëndrim para se vendimi të shpallej. Sipas partisë, kjo paraqet një standard të dyfishtë në trajtimin e dy çështjeve.
BDI-ja rikujton gjithashtu se Shasivari, gjatë kohës kur ishte profesor, kishte kundërshtuar ish-ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, lidhur me moslejimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në reagimin e saj, BDI-ja kritikon edhe arsyetimin e Shasivarit se qëndrimi i tij për aktgjykimin e Hagës është në përputhje me institucionet evropiane. Partia thotë se as protestat për UÇK-në dhe as kërkesat e studentëve nuk e kanë ndryshuar qëndrimin e ministrit.
Në fund, BDI-ja kërkon që Shasivari të japë dorëheqje nga posti i ministrit të Drejtësisë.






