Milot Avdyli më në fund ka marrë ftesën e shumëpritur për t’iu bashkuar Kombëtares A të Kosovës, pas një rrugëtimi të gjatë në grupmoshat e reja.
24-vjeçari kishte luajtur për të gjitha kategoritë e Kosovës nga U16 deri te U21, ku kishte mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Megjithatë, pas përfundimit të aventurës me U21, ai kishte pritur për një mundësi me Kombëtaren A.
Në janar, Avdyli kishte treguar se nuk kishte pasur kontakte nga përfaqësuesja, por ishte shprehur optimist se një ditë do ta merrte ftesën.
Kjo ditë erdhi disa muaj më vonë. Përzgjedhësi Franco Foda e përfshiu atë në listën e Kosovës për ndeshjet ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.
Foda vlerësoi sezonin e Avdylit dhe faktin se ai mund të luajë në disa pozita.
Avdyli është pjesë e Celjes në Slloveni. Sezonin e kaluar ai zhvilloi 46 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar tri gola dhe dhënë 12 asistime. Në sezonin aktual ka 14 paraqitje, një gol dhe një asistim.
Pas bashkimit me Kombëtaren, Avdyli tha se ishte pritur mirë nga futbollistët dhe se ndihej i lumtur për këtë mundësi.
Pas viteve të kaluara në grupmoshat e Kosovës dhe pritjes për ftesën e madhe, Avdyli tashmë ka mundësinë të dëshmojë veten me fanellën e Kombëtares A.






