Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka deklaruar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në New York se reagimi ushtarak i Izraelit në Gaza, pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, ka kaluar sipas saj “vijën e kuqe”.
Meloni theksoi se Izraeli kishte të drejtë të përballej me Hamasin, por argumentoi se operacionet ushtarake kanë tejkaluar kufijtë e proporcionalitetit dhe kanë shkaktuar pasoja të rënda për civilët.
Ajo bëri të ditur se Italia do të mbështesë sanksionet e mundshme evropiane ndaj Izraelit, duke sinjalizuar një ndryshim në qëndrimin e qeverisë italiane ndaj konfliktit.
Në fjalimin e saj, Meloni gjithashtu theksoi se Izraeli nuk duhet të pengojë krijimin e një shteti të pavarur palestinez.
Deklaratat vijnë në një kohë kur vendet evropiane po përballen me presion në rritje për të marrë qëndrime lidhur me situatën humanitare në Gaza dhe për të rritur përpjekjet për ndalimin e konfliktit.






