Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktgjykimin me të cilin Gordana Filipoviq nga Kumanova është dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burg për aksidentin e trafikut në Shkup, ku humbi jetën këmbësori 76-vjeçar, Slobodan Angelovski.
Apeli ka refuzuar si ankesën e mbrojtjes, ashtu edhe atë të Prokurorisë, e cila kishte kërkuar dënim më të lartë. Me këtë vendim, mbetet në fuqi dënimi i shqiptuar nga Gjykata Themelore Penale në Shkup pas rigjykimit.
Sipas Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është i argumentuar dhe rrethanat e aksidentit janë përcaktuar në mënyrë të drejtë.
Sipas arsyetimit, Filipoviq drejtonte automjetin me shpejtësi prej 54.4 kilometra në orë, në një pjesë të rrugës ku kufizimi ishte 50 kilometra në orë. Gjykata ka veçuar edhe faktin se automjetet në korsitë fqinje kishin ndaluar para vendkalimit për këmbësorë, ndërsa ajo kishte vazhduar lëvizjen duke kaluar në korsinë tjetër.
Aksidenti ndodhi në vitin 2022 te ura “Goce Dellçev”, përballë Teatrit Kombëtar Maqedonas, ku humbi jetën Angelovski.
Filipoviq fillimisht ishte dënuar me tre vjet burg, por aktgjykimi ishte shfuqizuar dhe rasti ishte kthyer në rigjykim. Në procedurën e përsëritur, ajo u dënua me dy vjet e gjashtë muaj burg.
Të dyja palët kishin paraqitur ankesa ndaj këtij vendimi, por Gjykata e Apelit i ka refuzuar ato dhe ka lënë në fuqi dënimin.






