Vellkovski në Podgoricë: Të rinjtë duhet të jenë pjesë aktive e proceseve reformuese

Advertisement

Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, mori pjesë në “Takimin Ministror për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor 2026”, që u zhvillua në Podgoricë të Malit të Zi.

Takimi u organizua nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), në partneritet me Ministrinë e Sportit dhe Rinisë të Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në të morën pjesë ministra dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për politikat rinore nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fokus të takimit ishin politikat rinore dhe mënyrat për përfshirjen më të madhe të të rinjve në proceset reformuese, jo vetëm si përfitues, por edhe si pjesëmarrës në hartimin dhe zbatimin e politikave.

Gjatë diskutimit, Vellkovski prezantoi idenë për krijimin e një agregatori kombëtar për të rinjtë, përmes të cilit në një platformë të vetme do të jenë të qasshme informacione për programet dhe mundësitë që ofrohen nga institucionet, komunat dhe organizatat rinore.

“Besoj se qasja e tillë në të ardhmen mund të marrë edhe dimension rajonal. Ambicia jonë duhet të jetë që një i ri në Shkup, Podgoricë, Sarajevë ose Tiranë të mund t’i shohë lehtësisht mundësitë që i ka në dispozicion, jo vetëm në vendin e tij, por edhe në rajon”, tha Vellkovski.

Në takim u diskutua edhe për pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, mobilitetin rajonal, arsimin, punësimin, sipërmarrjen, vullnetarizmin dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit.

Vellkovski theksoi se të rinjtë duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në identifikimin e sfidave, propozimin e zgjidhjeve dhe monitorimin e rezultateve në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal.

Në kuadër të takimit u diskutua edhe për RYCOncile – Fondin Rinor të RYCO-s, si mekanizëm për mbështetjen e iniciativave rinore, bashkëpunimit rajonal, mobilitetit dhe përfshirjes së të rinjve.

Takimi ministror synoi forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e politikave rinore mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit