Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, ka zhvilluar takim në Ankara me homologun e tij turk, Mehmet Nuri Ersoy, në kuadër të vizitës zyrtare në Turqi.
Gjatë takimit është diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit, me fokus të veçantë në kulturë dhe turizëm.
Ministrat kanë shkëmbyer mendime për aktivitetet e Qendrave Kulturore-Informative në Shkup dhe Stamboll, projektet kulturore në të dyja vendet, përfshirë ndërtimin e Teatrit Turk në Maqedoninë e Veriut, si dhe për promovimin e turizmit.
Në takim është vlerësuar edhe bashkëpunimi me Agjencinë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), përmes së cilës janë realizuar projekte për mbrojtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore osmane. Palët kanë shprehur gatishmëri për vazhdimin e mbështetjes për projekte të tjera në këtë fushë.
Sulejmani dhe Ersoy kanë diskutuar gjithashtu për bashkëpunimin në kuadër të UNESCO-s, përfshirë nismat e përbashkëta për promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale.
Gjatë qëndrimit në Ankara, ministri Sulejmani ka vizituar edhe Muzeun Anatolian të Civilizimeve, ndërsa ka zhvilluar takime me përfaqësues të jetës publike dhe politike në Turqi.






