Tragjedi në Raven: 60-vjeçari gjendet i pajetë në stadium, lëndohet rëndë edhe një polic

Advertisement

Një 60-vjeçar nga fshati Raven është gjetur i pajetë në stadiumin e fshatit, pasi më herët ishte raportuar i zhdukur nga familjarët.

Sipas policisë, më 21 shtator bashkëshortja e tij, J.A. (45), kishte raportuar se A.A. (60) ishte larguar për në punë në Gostivar rreth orës 07:00 dhe nuk ishte kthyer në shtëpi. Familja kishte tentuar ta kontaktonte edhe përmes telefonit, por pa sukses.

Pas kërkimeve dhe veprimeve të ndërmarra nga autoritetet, rreth orës 00:20 të 22 shtatorit, 60-vjeçari është gjetur i vdekur në stadiumin e Ravenit. Në afërsi të tij është gjetur edhe një sharrë motorike.

Vdekja është konstatuar nga mjeku i Qendrës Urgjente në Gostivar, ndërsa në vendngjarje është kryer këqyrje nga Prokuroria Publike, mjeku i mjekësisë ligjore, ekipet policore dhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit.

Gjatë veprimeve në vendngjarje, rreth orës 01:50, një zyrtar policor ka rënë në një pus betoni të hapur dhe të pashënuar, me thellësi rreth 1.5 metra. Ai ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim në Qendrën Mjekësore në Gostivar.

Policia dhe institucionet kompetente po vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit