Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar takim me Zeina Hilal, drejtoreshë e Programit për Programet Gjinore dhe të Rinisë pranë Unionit Ndërparlamentar (UIP), ku është diskutuar për barazinë gjinore dhe përfshirjen e të rinjve në jetën publike dhe politike.
Në fokus të bisedës ishin sfidat që lidhen me pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe të rinjve në proceset e vendimmarrjes, si dhe mundësitë për krijimin e kushteve që ata të kenë rol më aktiv në jetën publike.
Një pjesë e takimit iu kushtua edhe hapësirës digjitale, veçanërisht rasteve të dhunës digjitale dhe formave të diskriminimit ndaj grave dhe të rinjve. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e mekanizmave institucionalë për parandalim dhe mbrojtje.
Gashi dhe Hilal diskutuan gjithashtu për ndikimin e stereotipeve gjinore në pjesëmarrjen e grave në jetën publike dhe për nevojën e krijimit të një mjedisi ku gratë dhe të rinjtë të kenë mundësi të barabarta për të kontribuar në proceset demokratike.
Në takim u shpreh gatishmëria për vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kuvendit dhe UIP-së, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira.
Takimi u zhvillua para ngjarjes së planifikuar për nesër, me temë “Avancimi i barazisë gjinore dhe lufta kundër dhunës digjitale ndaj grave në politikë në Maqedoninë e Veriut”.






