Komisioni Evropian ka reaguar ndaj kërcënimit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave të reja ndaj Bashkimit Evropian, duke theksuar se forcimi i bashkëpunimit me Kanadanë nuk synon asnjë palë.
“Fuqizimi i propozuar i partneritetit tonë nuk është kundër askujt, por për forcën tonë të përbashkët”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Evropian.
Reagimi i Brukselit erdhi pasi Trump paralajmëroi tarifa të tjera ndaj BE-së në rast se blloku do të ndërmerrte hapa për afrimin e Kanadasë si “anëtare të asociuar”. Ky status aktualisht nuk parashikohet në traktatet e BE-së.
Trump e cilësoi një mundësi të tillë si potencialisht “armiqësore” dhe paralajmëroi se SHBA-ja mund të vendosë tarifa të larta ndaj Evropës, si dhe të kufizojë tregtinë në sektorë të caktuar. Ai gjithashtu kritikoi mundësinë e afrimit më të madh të Kanadasë me BE-në.
Ndërkohë, kryeministri kanadez Mark Carney e mirëpriti propozimin evropian për krijimin e një “aleance shumë më të fortë dhe më ambicioze”, pa folur drejtpërdrejt për anëtarësim të asociuar.
Carney ka kërkuar forcimin e marrëdhënieve me BE-në, e cila është partneri i dytë më i madh tregtar i Kanadasë, në një periudhë kur marrëdhëniet tregtare me SHBA-në, partnerin kryesor ekonomik të Kanadasë, janë tensionuar.






