Shkolla fillore “Panajot Ginovski” në Butel është njëra nga 30 shkollat në vend që po përmirësojnë kushtet për edukatë fizike dhe aktivitete sportive, përmes projektit për rehabilitimin e hapësirave sportive dhe pajisjen e tyre me mjete të reja.
Projekti financohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) dhe Banka e Zhvillimit e Këshillit të Evropës (CEB).
Gjatë aktivitetit “Mëso, luaj, rritu”, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, tha se mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë po kontribuon në përmirësimin e infrastrukturës shkollore.
Ajo theksoi se shkollat duhet të ofrojnë ambiente të sigurta dhe motivuese, ku nxënësit mund të zhvillojnë aftësitë dhe potencialin e tyre.
Sipas Janevskës, gjatë dy viteve të fundit janë realizuar ose janë duke u zbatuar rreth 90 projekte të tjera infrastrukturore në shkolla në komuna të ndryshme.
Në aktivitet morën pjesë edhe euroambasadori Mihalis Rokas, ambasadorët e Italisë, Spanjës dhe Francës, Paolo Palmintieri, Rafael Soriano Ortiz dhe Christophe Le Rigoler, si dhe zëvendësguvernatori i CEB-it, Thomas Bocek.
Pjesëmarrësit vlerësuan rezultatet e projektit dhe theksuan rëndësinë e vazhdimit të investimeve në infrastrukturën arsimore.
Projekti, i cili nisi në vitin 2024, ka një vlerë totale prej rreth 3 milionë euro dhe pritet të përfundojë me realizimin e të gjitha punimeve ndërtimore.






