Gashi: Në rast të aktgjykimit lirues, paraburgimi ndërpritet menjëherë – kthimi mund të organizohet brenda ditës

Advertisement

Avokati Tomë Gashi ka folur për Telegrafin lidhur me atë se çfarë mund të ndodhë në rast se aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është lirues.

Gashi ka thënë se, sipas vlerësimit të tij, me shpalljen e një vendimi të tillë do të ndërpritej edhe paraburgimi, ndërsa më pas do të mbeteshin çështjet teknike të kthimit të tyre në Kosovë.

 

“Në momentin që shpallet aktgjykimi lirues, me vendim të njëjtë ndërprehet paraburgimi dhe pastaj janë çështje teknike të organizimit”, ka thënë ai.

Gashi ka shprehur pritjen që, në një skenar të tillë kthimi në Prishtinë të mund të organizohej brenda ditës.

“Meqenëse aktgjykimi do të shpallet paradite, që i bie brenda ditës aranzhohen fluturimet dhe sillen në Prishtinë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka thënë se një kthim i tillë do të pritej me një manifestim të madh në Kosovë.

“Ne nuk po themi që aktgjykimi duhet të jetë lirues vetëm që ne jemi shqiptarë, por e drejta ndërkombëtare është në anën tonë”, ka përfunduar Gashi.

Ndryshe në një intervistë për Telegrafin, Gashi ka folur për procesin gjyqësor në Hagë, provat e paraqitura gjatë tij, skenarët e mundshëm të aktgjykimit dhe atë që, sipas tij, do të ndodhte në rast të një vendimi lirues.

“Mendoj që provat të cilat ne i kemi pa në aq pak seanca, sa kanë qenë të hapura për publikun, nuk kemi pa diçka që mund të sjellë një aktgjykim tjetër, përveç aktgjykimit lirues”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me mënyrën se si mund të vlerësohen provat që, sipas tij, janë dërguar nga Serbia.

“Frika ime personale, por besoj e një pjese të madhe të ne shqiptarëve, është që Gjykata Speciale mos të bie në lajthim të vlerësimit të provave të dërguara nga Serbia”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Për më shumë shikoni intervistën e plotë:

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit