Izet Mexhiti ka reaguar për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, duke shprehur pritjen që vendimi i pritshëm të jetë i drejtë dhe të konfirmojë pafajësinë e tyre.
Në reagimin e tij, Mexhiti e përshkruan luftën e UÇK-së si luftë për liri, dinjitet dhe çlirimin e Kosovës, ndërsa thekson se lufta për liri, sipas tij, nuk mund të barazohet me krimin.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri, për dinjitet dhe për çlirimin e popullit tonë”, shkruan Mexhiti.
Ai shprehet se procesi ndaj komandantëve të UÇK-së duhet të përfundojë dhe se pret një vendim të drejtë.
“Lufta për liri nuk mund të barazohet me krimin; viktima me dhunuesin, ndërsa sakrifica për çlirimin e Kosovës nuk duhet të kthehet në agjendë politike për kundërshtuesit e pavarësisë dhe shtetshmërisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e tij.
Në fund, Mexhiti e mbyll mesazhin me një thirrje për drejtësi dhe dinjitet, duke theksuar se për të liria e Kosovës mbetet një amanet.
“Momenti i së vërtetës po afron. Për ne, liria e Kosovës nuk është thjesht një fjalë, është amanet”, shkruan ai.






