Zëdhënësja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Floriana Garo, ka akuzuar qeverinë për çmimin e lartë të naftës në vend, duke deklaruar se një litër aktualisht kushton 2.48 euro.
Sipas Garos, të dhënat e Buletinit Javor të Komisionit Evropian e rendisin Shqipërinë ndër vendet me naftën më të shtrenjtë në Evropë, pas Danimarkës. Ajo tha se çmimi në Shqipëri është më i lartë edhe krahasuar me vende si Holanda, Gjermania dhe Norvegjia.
“Nafta 229 lekë nuk është thjesht një produkt dhe një çmim, por është një politikë e vjedhjes me anë të rritjes së taksave”, deklaroi Garo.
Ajo krahasoi çmimet me vendet e rajonit, duke thënë se në Mal të Zi nafta kushton rreth 1.87 euro për litër, në Kosovë 1.76 deri në 1.85 euro, ndërsa në Maqedoninë e Veriut rreth 1.64 euro. Sipas saj, në Ukrainë çmimi është rreth 1.35 euro për litër.
Garo argumentoi se diferencat në çmime lidhen edhe me politikat fiskale. Sipas saj, Mali i Zi ka ulur akcizën në periudha krize, Serbia ka reduktuar akcizën dhe ka vendosur çmime tavan, ndërsa Kosova ka ndërmarrë masa për rregullimin e përkohshëm të marzheve dhe çmimeve.
Zëdhënësja e PD-së tha se qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë masa të ngjashme dhe ka vijuar me barrën fiskale mbi karburantet.
Garo rikujtoi gjithashtu premtimin e PD-së gjatë fushatës së vitit 2025 për përgjysmimin e taksave të karburantit. Sipas saj, nëse do të zbatohej kjo politikë, çmimi i naftës do të ishte rreth 1.71 euro për litër.
Ajo e bëri përgjegjëse qeverinë Rama për nivelin e çmimeve dhe kundërshtoi pretendimet se rritja lidhet kryesisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.
“Përgjegjës për këtë gjendje është vetëm një njeri dhe e ka emrin Edi Rama”, tha Garo.
Në fund, zëdhënësja e PD-së u bëri thirrje qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike, që t’i bashkohen protestës qytetare.






