Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe administratës së tij, duke u bazuar në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Asamblisti i LVV-së, Feim Osmani, tha se raporti i auditimit për Komunën e Prishtinës përmban më shumë se 26 gjetje, ndërsa rreth gjysma e tyre, sipas tij, janë shkelje të përsëritura të evidentuara edhe në raportet e mëparshme.
Sipas Osmanit, LVV-ja ka veçuar gjashtë raste për të cilat pretendon se mund të ketë elemente të veprave penale. Ai përmendi çështje që lidhen me tjetërsimin e pronave, pagesa për punë që pretendohet se nuk janë kryer, menaxhimin e kontratave dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike pa vendim të Kuvendit Komunal.
“14 nga to janë shkelje për herë të parë që janë evidentuar. Ne i kemi trajtuar me prioritet së paku gjashtë nga to, për të cilat besojmë se është konsumuar tashmë vepra penale”, deklaroi Osmani.
Në mesin e rasteve të përmendura është edhe llogaritja e tenderit për sheshin “Xhorxh Bush”, ku LVV-ja pretendon se ka pasur gabime prej më shumë se 7 për qind, me vlerë financiare mbi 1.2 milionë euro.
Osmani përmendi gjithashtu dhënien në shfrytëzim të hapësirës publike pa miratim të Kuvendit Komunal, duke pretenduar se bëhet fjalë për një shumë prej 5.12 milionë eurosh të dhëna nga Komuna e Prishtinës për UNDP-në.
Ai foli edhe për pagesa për punë të cilat, sipas tij, auditorët nuk i kanë gjetur të realizuara në terren. Sipas Osmanit, verifikimi i këtyre rasteve duhet të bëhet nga organet e drejtësisë.
LVV-ja ka dorëzuar bashkë me kallëzimin penal edhe raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditimit, i cili përfshin 69 faqe dhe trajton çështje që lidhen me financat, tenderët dhe procedurat administrative të Komunës së Prishtinës.
Osmani tha se kallëzimi penal është dorëzuar me qëllim që Prokuroria t’i hetojë pretendimet dhe të ndërmarrë masat përkatëse nëse konstatohen shkelje penale.






