Departamenti për Kriminalitet Ekonomik dhe Korrupsion, në koordinim me SPB Shkup, ka ngritur kallëzim penal ndaj tre personave, në mesin e të cilëve edhe ish-kryetari i Komunës së Karposhit, Stevço Jakimovski.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Jakimovski dyshohet për veprën penale “punë të pandërgjegjshme në shërbim”, ndërsa dy zyrtare të Komunës së Karposhit dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar.
Sipas policisë, zyrtaret kanë lëshuar leje ndërtimi për investitorë, edhe pse kanë qenë në dijeni se dokumentacioni urbanistik për lokacionet përkatëse ishte shfuqizuar më herët nga Gjykata Kushtetuese.
Në një nga rastet, më 23 korrik 2025 është lëshuar leje ndërtimi që, sipas policisë, u ka mundësuar investitorëve të fitojnë në mënyrë të kundërligjshme të drejtën për ndërtimin e një objekti me vlerë rreth 10.4 milionë denarë.
Policia pretendon gjithashtu se janë lëshuar edhe leje të tjera ndërtimi, pavarësisht mangësive në dokumentacion dhe mospërputhjes së projekteve me planet urbanistike.
Në një rast tjetër, bëhet fjalë për një objekt të evidentuar si “strehë”, i cili, sipas policisë, ishte vendosur në hapësirë publike dhe nuk ishte paraparë në planin urbanistik.
Hetimi është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Publike në Shkup, ndërsa kallëzimi penal është dorëzuar në këtë institucion për procedurë të mëtejshme.






