Drunjëprerësit sulmuan policët në Bansko, zëvendësdrejtori i “Pyjeve Kombëtare” publikon pamjet e arrestimit

Advertisement

Zëvendësdrejtori i “Pyjeve Kombëtare”, Kire Mihajlov, ka reaguar për rastet e fundit të sulmeve ndaj zyrtarëve të lidhur me luftën kundër prerjeve ilegale të pyjeve, duke publikuar një video nga arrestimi i dy personave të dyshuar për prerje ilegale të drurit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 13 shtator, rreth orës 12:30, në fshatin Bansko të Strumicës, pjesëtarë të policisë janë sulmuar gjatë përpjekjes për të kryer një kontroll ndaj personave të dyshuar për prerje ilegale.

Gjatë incidentit, njëri prej drejtuesve ka nisur automjetin dhe ka goditur një zyrtar policor të Frontex-it nga Polonia, e më pas edhe një traktor “IMT”, të drejtuar nga një banor lokal i Banskos. Policia ka arritur t’i neutralizojë dhe arrestojë dy personat e kapur në vendngjarje.

Mihajlov ka kujtuar edhe raste të tjera të sulmeve ndaj zyrtarëve në të kaluarën, duke thënë se raste të tilla tashmë janë më të rralla për shkak të dënimeve të larta për personat që sulmojnë zyrtarët gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Si shembull, ai ka përmendur Banskon, ku në vitin 2014 një rojtar pylli ishte lënduar rëndë gjatë një sulmi. Ai ka kujtuar gjithashtu sulmin ndaj policëve pyjorë në territorin e Komunës së Çashkës në vitin 2024, si dhe rastin e fundit në rajonin e Shtipit, ku, sipas tij, ishin sulmuar zyrtarë.

Mihajlov ka theksuar se shkelja e ligjeve dhe sulmet ndaj zyrtarëve duhet të kenë pasoja përkatëse.

“Siç thashë, herët a vonë, si në videon e mbrëmshme, do t’i gjejë e njëjta gjë të gjithë ata që nuk e respektojnë ligjin”, ka shkruar Mihajlov.

Ai ka shtuar se në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në institucionet e tjera punojnë zyrtarë të cilët, sipas tij, e kryejnë punën e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm.

https://www.facebook.com/share/r/14prMSzbzRz/ 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit