VLEN ka shprehur mbështetje për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po përballen me proces gjyqësor në Hagë, duke e cilësuar luftën e UÇK-së si luftë çlirimtare.
Në një reagim të publikuar të hënën, VLEN tha se lufta e Kosovës dhe rrugëtimi drejt pavarësisë përbëjnë një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve.
Duke iu referuar procesit ndaj Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, VLEN theksoi rëndësinë e respektimit të prezumimit të pafajësisë.
“Akuzë nuk është aktgjykim. Presumimi i pafajësisë është parim themelor i drejtësisë dhe duhet të respektohet deri në fund”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Partia deklaroi se qëndron pranë Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës, ndërsa shprehu shpresën që ish-krerët e UÇK-së të kthehen pranë familjeve të tyre.






