Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, në emisionin “N’Podium” me Mefo Ismailin, ka folur për nevojën që qytetarët të kenë më shumë siguri dhe besim në shërbimet publike.
Limani theksoi se qytetarët e Gostivarit duhet të jenë të sigurt se nuk do të përballen me situata të reja, jo vetëm sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe problemeve të tjera që lidhen me shërbimet komunale.
Ai tha se përgjegjësia nuk duhet të jetë vetëm e kryetarit të komunës, por e gjithë administratës dhe ndërmarrjeve që ofrojnë shërbime për qytetarët.
“Do të punojmë që Gostivari të ketë një sistem të qëndrueshëm dhe që askush të mos ketë dyshime, pavarësisht nëse bëhet fjalë për ujin e pijshëm apo shërbime të tjera”, u shpreh Limani.
Sipas tij, çështjet si uji dhe shërbimet e tjera publike nuk duhet të lidhen me emrin e kryetarit, por me transparencën, qëndrueshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve.
“Deri në fund të mandatit, së bashku me të gjithë ekipin dhe ndërmarrjet, do të japim gjithçka nga vetja që qytetarët tanë të mund të gëzojnë një jetë më të mirë”, deklaroi Limani.






