Janevska me mesazh për politikanët: Mos ndërhyni në arsim

Advertisement

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka bërë të ditur se projekti për zgjerimin e kapaciteteve të shkollës fillore “Kiro Gligorov” në Komunën Qendër po shkon drejt përfundimit.

Në seancën e sotme parlamentare, Janevska tha se pjesa më e madhe e punimeve tashmë është realizuar dhe se shumë shpejt nxënësit do të mund të zhvillojnë mësimin në një turn.

“Shumë shpejt do ta përmbyllim projektin dhe do të ketë mësim me një turn, më cilësor dhe në interes të të gjithë nxënësve”, deklaroi Janevska.

Sipas ministres, vonesat në realizimin e projektit kanë ardhur si pasojë e procedurave administrative në komunë.

Janevska foli edhe për situatën me shkollat e mbyllura dhe procesin e optimizimit. Ajo tha se disa shkolla janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa shkollat me numër të vogël nxënësish janë bashkuar me institucione të tjera.

Duke iu referuar të dhënave të UNICEF-it dhe Bankës Botërore, ministrja tha se në vend ka tepricë prej rreth 1.800 paraleleve dhe 3.000 mësuesve.

Ajo theksoi se gjatë këtij viti janë bashkuar 430 paralele, por sipas saj, asnjë mësues nuk e ka humbur vendin e punës.

Sa i përket shkollës “Petar Zdravkovski – Penko” në Butel, Janevska tha se situata është tejkaluar dhe se vazhdojnë të funksionojnë katër paralele në gjuhën shqipe.

Ajo shtoi se fëmijët nga Çairi, të cilët kanë vëllezër ose motra që ndjekin mësimin në këtë shkollë, kanë të drejtë regjistrimi.

Janevska gjithashtu u bëri thirrje politikanëve që të mos ndërhyjnë në arsim, duke kërkuar më shumë unitet në krijimin e politikave për përmirësimin e rezultateve të nxënësve në testimet ndërkombëtare, përfshirë PISA-n.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit