Prindërit e viktimave: Asnjë i akuzuar nuk duhet t’i shpëtojë drejtësisë për shkak të vonesave të sistemit

Advertisement

Dejan Jovanov, i akuzuari i parë në rastin e zjarrit tragjik në diskotekën “Pulse” në Koçan, pritet të lirohet nga paraburgimi në fillim të tetorit, pasi skadon afati ligjor prej një viti nga vlerësimi i aktakuzës.

Nga Gjykata Penale konfirmojnë se paraburgimi i Jovanovit është vazhduar deri më 3 tetor 2026. Pas skadimit të këtij afati, sipas detyrës zyrtare, ndaj tij do të caktohen masa të tjera për sigurimin e pranisë gjatë procedurës gjyqësore.

Jovanov ndodhet në paraburgim që nga tragjedia e 16 marsit në Koçan, ndërsa aktakuza ndaj tij është vlerësuar më 3 tetor 2025. Sipas Gjykatës, në përputhje me dispozitat ligjore, paraburgimi mund të zgjasë më së shumti një vit nga vlerësimi i aktakuzës.

“Me qëllim të sigurimit të pranisë së papenguar në pjesën e mëtejshme të procedurës gjyqësore, Gjykata, sipas detyrës zyrtare, pas skadimit të afatit ligjor për masën e paraburgimit, cakton masa shtesë për kujdes dhe sigurimin e të akuzuarit”, deklaruan nga Gjykata Penale.

Ndërkohë, procesi gjyqësor për tragjedinë në Koçan vazhdon. Procedura e provave të Prokurorisë është drejt përfundimit, pas së cilës pritet të nisë paraqitja e provave nga mbrojtja.

Familjet e viktimave kanë shprehur shqetësim për ritmin e procedurës dhe për pasojat e skadimit të afateve ligjore.

Aleksandar Naunov, babai i njërit prej viktimave dhe kryetar i Shoqatës “16 Mars 2015 Koçan”, ka kërkuar nga institucionet që të shqyrtojnë nëse ekzistojnë baza ligjore për procedim edhe për vepra të tjera penale ndaj Jovanovit apo të akuzuarve të tjerë.

Ndërkohë, masat e sigurimit ndaj disa prej të akuzuarve janë ndryshuar. Todori Jovanov, vëllai i Dejan Jovanovit, e ka hequr masën e arrestit shtëpiak pasi ka siguruar garanci prej 319.154 eurosh në pasuri të paluajtshme.

Për të akuzuarin Bekim Haxhiu është caktuar garanci prej 849.602 eurosh në pasuri të paluajtshme.

Arrest shtëpiak aktualisht kanë ende Jane Jançevski dhe Ivica Grozdanovski. Për Jançevskin është pranuar garanci prej më shumë se 33.000 eurosh dhe, pas regjistrimit të hipotekës, pritet që edhe ndaj tij të zëvendësohet masa me masa të tjera për sigurimin e pranisë.

Mitko Stojanov, Martin Gjorgjiev dhe Stojanço Dimitriev e kanë zëvendësuar arrestin shtëpiak me masa të tjera për sigurimin e pranisë. Ndërkaq, ish-inspektori kryesor në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ljupço Grnçishtarov, ka ndërruar jetë gjatë kohës që ndodhej në arrest shtëpiak.

Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, humbën jetën 63 persona, ndërsa më shumë se 200 të tjerë u plagosën.

Prokuroria të akuzuarve u ngarkon veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, në pjesën që lidhet me mosveprimin e personave zyrtarë përgjegjës për mbrojtjen nga fatkeqësitë.

Sipas aktakuzës, 34 të akuzuarit trajtohen si bashkëkryerës, ndërsa Prokuroria pretendon se kanë vepruar me dashje të përbashkët, edhe pse mosveprimet e tyre kanë ndodhur në periudha të ndryshme.

Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve dhe provave që pritet të paraqiten, që në fillim është paralajmëruar se procesi gjyqësor mund të jetë i gjatë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit