Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka zhvilluar sot takim me ushtruesen e detyrës së ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.
Sipas njoftimit të PDK-së, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike në vend, nevojën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik dhe institucional.
Hamza ritheksoi qëndrimin e PDK-së se Kosova ka nevojë për një Kuvend funksional dhe rikthim të rendit kushtetues e demokratik.
Ai shprehu shqetësim për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe për veprimet e partisë së parë, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar shkelje kushtetuese dhe kanë thelluar krizën institucionale.
Kreu i PDK-së tha se bllokada duhet të marrë fund dhe se institucionet duhet të formohen pa vonesa të mëtejshme, duke respektuar vullnetin e qytetarëve, Kushtetutën dhe procedurat parlamentare.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe nevoja për koordinim të vazhdueshëm të Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë.






