Në korrik u dhanë më pak leje ndërtimi, Shkupi kryeson me 107 leje

Advertisement

Në korrik të këtij viti në vend janë dhënë gjithsej 367 leje ndërtimi, 8.5 për qind më pak krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, përcjell TV21.

Nga numri i përgjithshëm, 227 leje janë dhënë për objekte të larta, 39 për objekte të ulëta, ndërsa për 101 objekte është paraparë rikonstruksion.

Sipas lejeve të dhëna, në vend pritet të ndërtohen gjithsej 1.248 banesa, me sipërfaqe të përgjithshme prej mbi 100 mijë metrash katrorë.

Rajoni i Shkupit prin me numrin e lejeve të ndërtimit. Në këtë rajon janë dhënë 107 leje, ndërsa janë planifikuar 752 banesa.

Megjithatë, vlera e objekteve për të cilat janë dhënë lejet ka shënuar rënie të ndjeshme. Ajo arrin në rreth 8 miliardë denarë, që paraqet një ulje prej 74.8 për qind krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave, rënia e madhe e vlerës lidhet kryesisht me faktin se në korrikun e vitit të kaluar ishte dhënë një leje për një projekt të madh për ndërtimin e një parku me erë në Shtip, Radovish dhe Karbinci.

Sa i përket investitorëve, pjesën më të madhe e përbëjnë personat fizikë. 209 objekte, ose 56.9 për qind, kanë si investitorë qytetarë, ndërsa 158 objekte janë investime të kompanive.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit