Kuvendi pret konferencën rajonale për mbikëqyrjen parlamentare në rrugën drejt BE-së

Advertisement

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është nikoqir i Konferencës së Tretë Rajonale, kushtuar rolit të mbikëqyrjes parlamentare në avancimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Konferenca mbështetet nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), përmes Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), në kuadër të aktiviteteve të Rrjetit të sekretariateve të komisioneve parlamentare për integrim evropian dhe çështje evropiane të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës po diskutohen çështje që lidhen me funksionin legjislativ dhe mbikëqyrës të parlamenteve, diplomacinë parlamentare, kapacitetet administrative, komunikimin dhe transparencën, si dhe rolin e parlamenteve në zbatimin e Agjendës së Reformave.

Në fjalimin e tij, nënkryetari i Kuvendit dhe kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane theksoi se integrimi evropian është një qëllim strategjik për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai nënvizoi se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE gëzon konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, ndërsa parlamentet kombëtare kanë rol të rëndësishëm në zbatimin e reformave, harmonizimin e legjislacionit me atë të BE-së dhe sigurimin e mbikëqyrjes demokratike.

Në fjalimin e saj përshëndetës, sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, tha se konferenca të tilla janë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe për diskutimin e përbashkët të sfidave me të cilat përballen parlamentet e rajonit në rrugën drejt BE-së.

Dimovska theksoi se integrimi evropian nuk nënkupton vetëm harmonizimin e ligjeve me standardet evropiane, por edhe forcimin e institucioneve, sundimit të ligjit, transparencës dhe përgjegjësisë institucionale.

Ajo shtoi se mbikëqyrja parlamentare duhet të sigurojë që obligimet e marra në procesin e integrimit evropian të ndiqen, vlerësohen dhe përmbushen në kohë.

“Sfida e përbashkët është që mbikëqyrja parlamentare të jetë efektive, profesionale dhe transparente”, tha Dimovska.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit