Në tregjet e gjelbra vërehet numër i ulët i qytetarëve dhe edhe më pak blerës. Edhe pse fillimi i shtatorit është periudhë kur tradicionalisht nisin përgatitjet për dimër, qytetarët thonë se çmimet e larta po e bëjnë më të kushtueshme përgatitjen e turshive dhe ajvarit.
Një pjesë e qytetarëve krahasojnë çmimet me ato në vendet e Evropës Perëndimore. Sipas tyre, disa produkte në tregjet vendase janë më të lira se në Gjermani, por dallimi në standardin e jetesës, thonë ata, e bën krahasimin më të vështirë.
Në fokus këtë periudhë janë veçanërisht specat e kuq, të cilët përdoren tradicionalisht për përgatitjen e ajvarit. Tregtarët thonë se fuqia blerëse është ulur dhe se numri i blerësve është dukshëm më i vogël krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas tregtarëve, çmimi i specave për ajvar në shitje me shumicë është rreth 35-40 denarë për kilogram, ndërsa në pakicë në disa tregje arrin deri në 80 denarë.
Tregtarët thonë se vitin e kaluar çmimi mesatar i specave të kuq ishte rreth 60 denarë për kilogram, ndërsa këtë vit, sipas marrëveshjes së re mes shtetit, prodhuesve dhe furnitorëve, çmimi mesatar është përcaktuar në 40 denarë.
Qeveria, përmes Ministrisë së Bujqësisë, ka arritur marrëveshje për çmimin e blerjes së specave nga fermerët, me 40 denarë për kilogram për cilësinë e lartë, 30 denarë për cilësinë e mesme dhe 15 denarë për cilësinë e ulët.
Ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski, ka deklaruar se Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë po kontrollon respektimin e çmimeve dhe klasifikimit në pikat e grumbullimit.
Ndërkohë, për përgatitjen e një kavanozi me 800 gramë ajvar nevojiten rreth 3 kilogramë speca të kuq bruto. Kur kësaj i shtohen edhe shpenzimet për vaj, energji ose lëndë djegëse dhe puna, për disa familje përgatitja e ajvarit në shtëpi mund të jetë më e kushtueshme se blerja e produktit të gatshëm.
Sipas të dhënave të publikuara në terren, një kavanoz me ajvar të gatshëm në markete kushton mesatarisht rreth 300 denarë.






