Rrezik i ri ajror në vendet e Ballkanit: Dronë rusë dyshohet se hynë në hapësirën ajrore të NATO-s

Advertisement

Një alarm ajror është aktivizuar gjatë natës në disa pjesë të Rumanisë, në kuadër të sulmit të madh ajror rus ndaj Ukrainës. Banorët e disa zonave janë paralajmëruar për rrezik të mundshëm nga objektet që mund të bien nga hapësira ajrore.

Sipas raportimeve të mediave ukrainase, një dron rus dyshohet se ka kaluar përmes Moldavisë dhe ka hyrë në hapësirën ajrore të Rumanisë. Për momentin, nuk ka konfirmim zyrtar për këtë pretendim.

Në qytetin Jash, pranë kufirit me Moldavinë, banorët morën njoftime përmes sistemit RO-ALERT, me thirrje që të kërkonin strehim në bodrume ose në strehimore të mbrojtjes civile. Qytetarëve që nuk kishin strehimore pranë iu këshillua të qëndronin në shtëpi dhe të largoheshin nga dritaret dhe muret e jashtme.

Situatë e ngjashme është raportuar edhe në qarkun Tulça, ku autoritetet rreth orës 02:10 kanë regjistruar disa dronë që po afroheshin drejt pjesës veriore të qarkut. Pak minuta më vonë, Inspektorati i Përgjithshëm për Situata Emergjente ka lëshuar paralajmërim për banorët.

Ndërkohë, në Moldavi janë publikuar pretendime se një dron rus mund të ketë fluturuar edhe mbi Kishinau. Këto informacione, megjithatë, nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet moldave.

Sipas Forcave Ajrore ukrainase, Rusia ka përdorur 166 dronë gjatë sulmit, përfshirë dronë të tipit „Shahed“ dhe mjete ajrore mashtruese. Sipas palës ukrainase, ndër zonat kryesore të goditura ishin rajoni i Kievit dhe ai i Odesës.

Rumania, si anëtare e NATO-s, ka regjistruar edhe më herët incidente me dronë pranë kufirit të saj. Sipas të dhënave të Ministrisë rumune të Mbrojtjes të cituara nga mediat, deri më 7 shtator të këtij viti janë regjistruar 67 sulme ruse në afërsi të kufirit rumun dhe 25 raste të hyrjes së paautorizuar të dronëve në hapësirën ajrore të vendit.

Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim zyrtar se dronët që shkaktuan alarmet e fundit kishin për qëllim sulmimin e territorit rumun.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit