Transportuesit nga vendet e Ballkanit Perëndimor kanë paralajmëruar se më 14 shtator do të nisin një protestë të përbashkët në pikat kufitare me vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Protesta vjen si reagim ndaj problemit të kufizimit të qëndrimit të shoferëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor në zonën Shengen, ku aktualisht zbatohet rregulli i qëndrimit deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Transportuesit kërkojnë zgjidhje konkrete për këtë problem, duke theksuar se rregullat aktuale po krijojnë vështirësi të mëdha për shoferët profesionistë që udhëtojnë rregullisht në vendet e Bashkimit Evropian.
Sipas tyre, shoferët vazhdojnë të përballen me arrestime, dëbime, ndalime hyrjeje dhe pasoja të tjera si rezultat i zbatimit të rregullave ekzistuese.
Protestuesit kërkojnë që autoritetet evropiane të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme që do t’u mundësonte transportuesve të Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë aktivitetin e tyre pa u përballur me këto kufizime.






