Pasditja e kësaj të shtune solli përshkallëzim të protestave në Francë, me përplasje të drejtpërdrejta të demonstruesve me autoritetet në qytetin e Lionit, atje ku ishte vendosur një ndalim i demonstratave pas orës 16:30.
Efektivët e Policisë përdorën gaz lotsjellës ndaj demonstruesve, të cilët tentuan të kryenin akte dhune ndaj oficerëve të policisë në Lion, Marsejë dhe Bordo, ndërsa në Paris situata paraqitej e qetë.
Në qytetin e Bordosë, Policia Franceze u përball me sulme me predha, ndërsa protestuesit ndërtuan një barrikadë me dërrasa. Sulmuesit ishin veshur me rroba të zeza dhe maska.
Autoritetet franceze kanë arrestuar në demonstratat e kësaj të shtune 135 persona, sipas asaj që ka deklaruar ministri i Brendshëm francez, ndërsa qindra mijëra qytetarë kanë mbushur rrugët e qyteteve të ndryshme. Në Paris, autoritetet deklaruan se kishin sekuestruar armë dhe maska gazi, pasi zbuluan një operacion të koordinuar në rrjetet sociale për të kryer akte dhune, duke synuar të dëmtonin pronën publike, hekurudhat, por edhe pronën private.
Në rrugët e Francës këtë të shtunë janë mobilizuar mbi 70 mijë efektivë policie dhe forca ushtarake, me qëllim ndalimin e përsëritjes së skenave të dhunës dhe vandalizmit të javës së kaluar. Aktualisht, në Francë po zhvillohen demonstrata në të paktën 100 vendndodhje të ndryshme, me qytetarët dhe studentët, të cilët thonë se duan ndryshim në vend dhe në mënyrën e qeverisjes.
Megjithatë, skenat e javës së shkuar treguan se këto protesta shkuan përtej këtyre kërkesave dhe u përshkallëzuan në akte dhune dhe huliganizmi. Në protestë këtë të shtunë u shfaq edhe kandidati i së majtës ekstreme, Jean-Luc Mélenchon, i cili u shpreh se ka një reagim masiv që tregon disiplinë kolektive dhe vetëkontroll. Mélenchon bëri thirrje për dorëheqje, duke thënë se ai nuk duhet t’i hedhë benzinë zjarrit, duke nxitur njerëzit kundër njëri-tjetrit.
Protesta e kësaj të shtune vjen pasi Macron u shpreh se e majta ekstreme kërkon të rrëzojë Republikën, por, përtej fjalës së tij politike, një investigim i thelluar i medias Fox News tregoi shumë më tepër. Sipas medias amerikane, në mesin e 287 organizatave që janë mobilizuar në protestat e kësaj të shtune në Francë, 50 prej tyre janë grupime të Antifa-s, ndërsa pjesa tjetër përfshin kampet e së djathtës dhe të së majtës ekstreme. Vetëm 27 prej tyre janë sindikata dhe organizata studentore, duke sjellë kështu, sipas asaj që shkruan Fox News, një kamuflim të dhunës nën pretendimin se protestat dhe vala e zemërimit masiv, që kanë sjellë kaos dhe dhunë, vijnë nga pakënaqësia e studentëve.
Protestat e kësaj jave vijnë pas një fundjave të ashpër trazirash javën e shkuar, kur disa qytete franceze u përfshinë nga përplasjet, grabitjet dhe dëmtimet e pronës publike e private. Sipas shifrave të raportuara, rreth 2,600 persona u arrestuan në lidhje me incidentet, ndërsa mijëra biznese u dëmtuan ose u plaçkitën.








