Rezultatet e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) tregojnë se nxënësit 15-vjeçarë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të jenë nën mesataren e vendeve të zhvilluara në tri fushat kryesore të vlerësimit: matematikë, lexim dhe shkencë.
Në matematikë, nxënësit nga Maqedonia e Veriut kanë arritur mesatarisht 369 pikë, ndërsa në lexim 342 pikë. Në shkencë, e cila ishte fusha kryesore e vlerësimit në këtë cikël të PISA-s, rezultati mesatar është 378 pikë.
Vetëm 32 për qind e nxënësve në vend kanë arritur nivelin bazë të njohurive në matematikë, ndërsa në lexim këtë nivel e kanë arritur vetëm 26 për qind e nxënësve. Në shkencë, niveli minimal i kompetencës është arritur nga rreth 36 për qind e nxënësve.
Të dhënat e PISA-s për vitin 2025 tregojnë gjithashtu një rënie të rezultateve në lexim dhe matematikë në nivel global.
Në renditjen e leximit, gjashtë vendet e para dominohen nga vendet aziatike, përfshirë Singaporin, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Tajvanin. Gjermania renditet e 23-ta, ndërsa SHBA-ja në vendin e 13-të. Polonia është në vendin e 14-të, ndërsa Turqia në të 16-in.
Në matematikë, Gjermania renditet e 26-ta, vetëm një vend mbi SHBA-në. Shtatë vendet e para në këtë fushë dominohen nga vendet aziatike, ndërsa Estonia renditet e teta.
Në shkencat natyrore, Gjermania është vetëm dy pikë mbi mesataren dhe renditet e 23-ta. Turqia ka shënuar përparim të konsiderueshëm, duke u renditur e 19-ta, me një rritje prej 18 pikësh krahasuar me rezultatet e vitit 2022.
Rezultatet tregojnë se nxënësit që nuk arrijnë nivelin bazë kanë vështirësi në aftësi themelore. Në shkencë, ata hasin probleme në interpretimin e të dhënave të thjeshta dhe grafikëve. Në lexim, vështirësitë lidhen me nxjerrjen e informacionit nga tekste të thjeshta, ndërsa në matematikë me kuptimin e marrëdhënieve ndërmjet njësive dhe çmimeve, aftësi të nevojshme edhe në situata të përditshme, si blerja e ushqimeve.
Si faktorë të mundshëm të rënies së rezultateve, autorët e studimit përmendin mbylljen e shkollave gjatë pandemisë së COVID-19. Ndikim mund të ketë pasur edhe shpërqendrimi dixhital dhe përdorimi në rritje i teknologjive, përfshirë inteligjencën artificiale, si dhe rënia e interesimit të nxënësve për leximin e librave.
PISA është zhvilluar për herë të parë në vitin 2000 dhe konsiderohet një nga matjet më të rëndësishme ndërkombëtare të performancës së sistemeve arsimore.






