Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, është dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë.
Vendimi është marrë pasi Kelmendi ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë, raporton Sinjali.
Gjesti është paraqitur sot në gjykatë në kuadër të rastit që lidhet me mosmarrëveshjet e tij me pronarin e kompanisë „Onima“, Erkand Shabani.
Mbrojtja e këngëtarit kishte kërkuar arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Kërkesa ishte kundërshtuar fillimisht nga pala e dëmtuar, por marrëveshja është pranuar nga Gjykata.
Kelmendi ishte arrestuar më 11 mars, nën dyshimin për veprat penale „Armëmbajtje pa leje“, „Kanosje“ dhe „Asgjësim apo dëmtim i pasurisë“.
Rasti kishte marrë vëmendje të madhe në opinion pas publikimit të pamjeve nga incidenti në ambientet e kompanisë „Onima“.






