Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka iniciuar kufizimin e përdorimit të telefonave mobilë gjatë orëve mësimore në të gjitha tetë shkollat fillore komunale.
Kostovski njoftoi se propozimin do ta paraqesë në Këshillin e Komunës së Butelit dhe në bordet e shkollave, duke shprehur pritshmërinë për mbështetje të gjerë.
“Shkolla është vend për dije, vëmendje, shoqërim dhe zhvillim. Gjatë orës, fokusi duhet të jetë te mësuesi dhe mësimi, e jo te ekrani”, shkroi Kostovski në Facebook.
Sipas tij, iniciativa nuk synon të jetë kundër teknologjisë, por të krijojë më shumë përqendrim dhe kushte më të mira për nxënësit gjatë procesit mësimor.






