Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë në pritjen e organizuar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me rastin e 8 Shtatorit – Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, Shasivari theksoi rëndësinë e shënimit të Ditës së Pavarësisë, duke e cilësuar atë si një moment për të kujtuar rrugëtimin e shtetit, por edhe përgjegjësinë që bartet ndaj së ardhmes.
“Pavarësia na bashkon, e ardhmja na obligon”, u shpreh Shasivari.
Ministri i Drejtësisë theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, pavarësia e institucioneve dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve mbeten ndër shtyllat kryesore për ndërtimin e një shoqërie stabile, të drejtë dhe demokratike.
Sipas tij, 8 Shtatori nuk është vetëm një ditë feste, por edhe një kujtesë për përgjegjësinë që çdo gjeneratë ka ndaj së ardhmes së vendit.
“Është ditë kur festojmë lirinë për të përcaktuar vetë të ardhmen, por edhe një kujtesë se çdo gjeneratë ka obligim ta bëjë shtetin më të fortë, më të drejtë dhe më të mirë për gjeneratat e ardhshme”, theksoi Shasivari.
Në fund, ai bëri thirrje për ruajtjen e themeleve të pavarësisë dhe për ndërtimin e institucioneve të forta, në të cilat qytetarët do të kenë besim.






