Psikologia Ledja Lita: Dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk është konflikt i zakonshëm, reagimi duhet të nisë që në shenjat e para

Advertisement

 

Dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk duhet të trajtohet si një konflikt i zakonshëm mes fëmijëve, pasi mund të lërë pasoja të thella në zhvillimin emocional dhe psikologjik të tyre. Kështu thekson psikologia klinike Ledja Habilaj Lita, e cila vepron pranë Qendrës Savant.

Sipas saj, përqeshja, kërcënimet, poshtërimi, izolimi apo dhuna fizike mund të ndikojnë në ndjenjën e sigurisë së fëmijës, vetëbesimin, marrëdhëniet me të tjerët, por edhe në procesin e të mësuarit.

Lita thekson se institucionet dhe shkollat nuk duhet të presin që situatat të përshkallëzohen për të reaguar.

“Reagimi duhet të fillojë që kur shfaqen shenjat e para”, është mesazhi i psikologes, e cila nënvizon nevojën për mekanizma të qartë në shkolla, staf të trajnuar dhe bashkëpunim mes mësuesve, prindërve, profesionistëve të shëndetit mendor dhe shërbimeve sociale.

Një rol të rëndësishëm, sipas saj, kanë edhe prindërit. Edukimi kundër dhunës duhet të fillojë në familje, ndërsa normalizimi i agresivitetit dhe dhunës në ambientin familjar mund të ndikojë në mënyrën se si fëmija i percepton konfliktet.

Psikologia apelon që prindërit të dëgjojnë fëmijët, të vendosin kufij dhe të bashkëpunojnë me shkollën. Ndërsa në rastet kur vetë fëmija ushtron dhunë, prindi duhet të jetë i gatshëm ta pranojë problemin dhe të bashkëpunojë për korrigjimin e sjelljes.

“Pranimi është çelësi i zgjidhjes së problemit”, thekson Lita, duke e cilësuar pranimin dhe bashkëpunimin si bazë të një prindërimi pozitiv.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit