Kurti pret ish-ministrin gjerman të Mbrojtjes, Rudolf Scharping: Falënderime për rolin në ndërhyrjen e NATO-s më 1999

Advertisement

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, i cili ka shërbyer në këtë post gjatë periudhës 1998–2002.

Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e Scharpingut në koordinimin e veprimeve politike dhe ushtarake të Gjermanisë me aleatët e NATO-s gjatë ndërhyrjes ushtarake të vitit 1999. Kryeministri theksoi se ish-ministri gjerman i qëndroi pranë popullit të Kosovës në ditët më të vështira.

“Denoncimi i planit ‘Patkoi’, sikurse vrasjeve, masakrave, spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në luftën e fundit në Kosovë, krahas këmbëngulësisë në argumentimin për ndërhyrjen e NATO-s, janë qëndrime që ish-ministrin e Mbrojtjes të Gjermanisë, Rudolf Scharping, e vendosin në anën e drejtë të historisë përgjithmonë”, u shpreh Kurti.

Në bisedë e sipër u veçua edhe libri i Scharpingut, “Wir dürfen nicht wegsehen: Der Kosovo-Krieg und Europa” (Nuk guxojmë të shikojmë anash: Lufta e Kosovës dhe Evropa). Në këtë vepër dokumentuese, përmes shënimeve personale, ish-zyrtari i lartë gjerman pasqyron vuajtjet e popullatës shqiptare dhe krimet e kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit