Cilësia e ujit në Gostivar është duke u përmirësuar, por ai ende nuk është i sigurt për konsum, informoi sot drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov.
Sipas tij, institucionet kompetente po punojnë në mënyrë aktive për tejkalimin e problemit, në koordinim me të gjitha institucionet përgjegjëse.
Ekspertët e përfshirë në procesin e pastrimit të rrjetit të ujësjellësit presin që problemi aktual të zgjidhet. Megjithatë, ata theksojnë se ruajtja e cilësisë së ujit në të ardhmen do të varet nga institucionet lokale, të cilat duhet të ndërmarrin masat e nevojshme për të parandaluar përsëritjen e problemeve.
Televizioni 24 kontaktoi edhe Qendrën për Shëndet Publik në Gostivar, nga ku shkurtimisht informuan se gjendja po monitorohet vazhdimisht dhe se institucioni është në koordinim me Shtabin e Krizës.
Ndërkohë, problemi me cilësinë e ujit në Gostivar ka vazhduar të shoqërohet edhe me reagime politike, me partitë që kanë shkëmbyer akuza për gjendjen dhe mënyrën se si institucionet kompetente po e menaxhojnë situatën.
Televizioni 24 më herët ka raportuar edhe për problemet me furnizimin me ujë me të cilat përballen disa banorë të Gostivarit, të cilët edhe para shpërthimit të epidemisë kishin mungesë të ujit në shtëpitë e tyre.
Në raportimet e mëparshme është ngritur edhe çështja e mungesës së infektologëve në spitalin e Gostivarit, ndërsa Avokati i Shtetit ka kërkuar që qytetarët të lirohen nga pagesa e faturave të ujit deri në tejkalimin e problemit.






