Irani ka informuar Shtetet e Bashkuara se nuk planifikon të vendosë tarifa për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit dhe se do të mundësojë vazhdimin e eksportit të naftës dhe gazit nga Gjiri Persik në një nivel të ngjashëm me atë para fillimit të konfliktit.
Këtë e deklaroi nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili theksoi se Uashingtoni nuk do të mbështetet vetëm te premtimet e Teheranit, por do të vlerësojë veprimet konkrete të tij.
“Pritshmëria jonë është të shohim të njëjtin nivel të naftës dhe gazit që del nga Gjiri, si para fillimit të konfliktit. Kjo është ajo që iranianët na kanë thënë se do të bëjnë”, deklaroi Vance në një intervistë për “Fox News”.
Sipas tij, Irani dhe vendet e Gjirit Persik, veçanërisht Omani, po zhvillojnë bisedime për krijimin e një korridori të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit. Plani përfshin edhe heqjen e minave dhe një zotim nga Teherani për të mos sulmuar anijet tregtare.
Vance tha se SHBA-ja vazhdon të përdorë mjete diplomatike, ekonomike dhe ushtarake në raportet me Iranin, me synimin për të arritur rezultatin më të mirë të mundshëm për qytetarët amerikanë.
“Ne nuk besojmë, por verifikojmë”, tha nënpresidenti amerikan.
Ai theksoi se një nga pengesat kryesore për lundrimin e sigurt në ngushticë është prania e minave, për të cilat Uashingtoni pretendon se janë vendosur nga Irani në fillim të konfliktit.
Ndërkohë, sipas Vance, po punohet për krijimin e një sistemi të sigurt të lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ai vlerësoi se Irani dëshiron përfundimin e konfliktit dhe se bisedimet po vazhdojnë për një plan që do të garantonte kalimin e sigurt të anijeve tregtare, përfshirë edhe angazhimin e Iranit për të mos i sulmuar ato.






