Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, zhvilloi sot një takim me ambasadoren e Republikës së Sllovakisë në Maqedoninë e Veriut, Iveta Hricova, ku u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe dhe mbështetjen e Sllovakisë në rrugën evropiane të vendit.
Gjatë takimit, Gashi shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovakia i jep procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si dhe për angazhimin e saj në kuadër të Grupit të Vishegradit për promovimin e politikës së zgjerimit të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadorja Hricova theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit parlamentar, përmes grupeve të deputetëve për bashkëpunim dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve parlamentare të të dy vendeve.
Në takim u vlerësua gjithashtu nevoja për thellimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, arsimore dhe kulturore, ndërsa të dyja palët konfirmuan angazhimin për vazhdimin e dialogut institucional dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.






