Drunjtë e rrëzuar nga stuhia në Shkup do të shndërrohen në park motorik në Vodno

Advertisement

Një pjesë e drunjve të rrëzuar gjatë motit të fundit të keq në Shkup do të ripërdoren për ndërtimin e një parku të ri motorik në Vodno, bëri të ditur kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.

Sipas tij, trungjet e shëndosha nuk do të hidhen si mbeturina, por do të shndërrohen në elemente natyrore për parkun, i cili do të shërbejë për zhvillimin e ekuilibrit, koordinimit, shkathtësisë dhe përgatitjes fizike.

Parku do të jetë i hapur për fëmijë, të rinj dhe të rritur, duke ofruar një hapësirë për rekreacion, aktivitet fizik dhe qëndrim në natyrë.

Gjorgjievski njoftoi gjithashtu se në vendet ku janë rrëzuar drunjtë tashmë kanë nisur mbjelljet e fidanëve të rinj, ndërsa gjatë gjysmës së dytë të shtatorit është planifikuar një aksion i gjerë vjeshtor për pyllëzimin e qytetit.

Ai rikujtoi se në Vodno po vazhdojnë investimet për rregullimin e shtigjeve, rinovimin e pajisjeve urbane dhe funksionimin e Shërbimit të Shpëtimit Malor për zonat e Vodnos dhe Matkës, duke theksuar se synimi është ruajtja dhe përmirësimi i një prej hapësirave më të rëndësishme të gjelbra në Shkup.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit