Perinski paralajmëron masa kundër keqpërdorimeve në Fondin e Sigurimit Shëndetësor

Advertisement

Keqpërdorimet me pushimet mjekësore, trajtimet jashtë vendit, mungesa e digjitalizimit dhe moslidhja e sistemeve informatike mes institucioneve janë ndër sfidat kryesore me të cilat po përballet Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Sipas drejtorit të ri të institucionit, Zllatko Perinski, këto çështje do të jenë prioritet në periudhën e ardhshme.

Gjatë një takimi joformal me gazetarët, Perinski bëri të ditur se po shqyrtohet vendosja e një sistemi të ri për kontrollin e pushimeve mjekësore, me qëllim parandalimin e keqpërdorimeve. Ai tha se nuk përjashtohet mundësia e ndryshimeve edhe në rregullat dhe afatet për shfrytëzimin e pushimit mjekësor.

Sipas tij, janë evidentuar raste të personave që kanë qëndruar në pushim mjekësor për periudha shumë të gjata, ndërsa shpenzimet për këtë kategori përbëjnë rreth 10 për qind të buxhetit të Fondit.

Perinski njoftoi se masa të ngjashme do të ndërmerren edhe në fushën e trajtimeve jashtë vendit. Për këtë qëllim është formuar një grup pune prej pesë anëtarësh nga institucione të ndryshme, i cili do të propozojë zgjidhje për përmirësimin e sistemit të kontrollit. Sipas të dhënave të Fondit, trajtimet jashtë vendit kanë kushtuar rreth 500 milionë denarë në vit gjatë viteve të fundit.

Ai theksoi gjithashtu se mungesa e komunikimit ndërmjet sistemeve informatike të institucioneve shkakton pagesa të dyfishta për shërbime të caktuara, duke krijuar kosto shtesë për Fondin./Alsat

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit