Shkuma e bardhë në lumin Vardar: Analizat paraprake brenda kufijve të lejuar, raporti përfundimtar më 4 gusht

Advertisement
Rezultatet fillestare për shkumën në lumin Vardar, të dorëzuara në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga Qyteti i Shkupit, janë brenda kufijve të lejuar-analizat përfundimtare priten më 4 gusht
Lidhur me paraqitjen e shkumës së bardhë të mbeturinave në lumin Vardar, pranë derdhjes së lumit Lepenc, më 24 korrik 2026, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor, në koordinim me të gjitha institucionet kompetente, ndërmori menjëherë një sërë aktivitetesh të jashtëzakonshme në terren dhe analizash laboratorike.
Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor zhvilluan inspektime të jashtëzakonshme te subjektet industriale në zonën që janë nën kompetencë shtetërore. Gjatë inspektimeve nuk u evidentuan parregullsi ligjore, përkatësisht subjektet kanë vepruar në përputhje me kushtet e përcaktuara në lejet ekologjike për menaxhimin e ujërave të ndotura. Është e rëndësishme të theksohet se cilësia e ujërave në këtë pjesë ndikohet nga faktorë të shumtë, duke përfshirë ujërat komunale dhe atmosferike, si dhe aktivitetin e një numri të madh subjektesh afariste në zonën përreth, për këtë arsye të gjitha institucionet kompetente po veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Me qëllim të përcaktimit të saktë të gjendjes, Ndërmarrja Publike „Ujësjellësi dhe Kanalizimi“ – Shkup mori mostra të ujit në lokacionin përkatës dhe ia dorëzoi Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor raportin paraprak të datës 29 korrik, sipas të cilit parametrat fiziko-kimikë të analizuar në mostër nuk i tejkalojnë vlerat kufitare të lejuara për shkarkim në ujërat sipërfaqësore.
Gjithashtu, me kërkesë të Inspektoratit Shtetëror për Mjedisin Jetësor, janë marrë mostra edhe nga një laborator i akredituar, raporti përfundimtar i të cilit do t’i dorëzohet Inspektoratit dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të martën, më 4 gusht 2026, pas së cilës opinioni do të informohet në kohë dhe në mënyrë transparente për rezultatet përfundimtare.
Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor do të vazhdojë të veprojë pa kompromis përmes inspektimeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme, me qëllim sigurimin e mbrojtjes së plotë të mjedisit jetësor dhe shëndetit të qytetarëve.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit