BDI, kërkon themelimin e Komisionit Anketues për ndriçimin e incidentit në parlament

Advertisement

Grupi parlamentar i Frontit Evropian ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut një propozim-vendim për formimin e një Komisioni Anketues. Qëllimi i kësaj iniciative është zbardhja e plotë e incidentit të fundit të ndodhur në ambientet parlamentare, ku sipas tyre, një anëtar i kabinetit qeveritar ka përdorur gjuhë nënçmuese dhe fyese ndaj deputetëve.

Përmes një komunikate për media, nga Fronti Evropian nështohet se Kuvendi përfaqëson institucionin më të lartë të qytetarëve, ndaj çdo sjellje që cënon dinjitetin e këtij tempulli demokratik dhe të zgjedhurve të popullit duhet të marrë përgjigje politike dhe institucionale.

Sipas propozimit, ky Komision Anketues duhet të zhvillojë një hetim të paanshëm për të zbardhur të gjithë kronologjinë e ngjarjes. Fokus i veçantë do t’u kushtohet veprimeve të personave të përfshirë, reagimit të shërbimeve parlamentare, si dhe verifikimit nëse janë shkelur parimet bazë të sundimit të ligjit, transparencës dhe Rregullores së Kuvendit.

Po ashtu, një nga pikat kyçe që kërkohet të sqarohet është refuzimi i qasjes në xhirimet e sistemit të videombikëqyrjes zyrtare të Kuvendit. Opozita vlerëson se në emër të interesit publik duhet të verifikohet nëse kjo fshehje apo moslejim i pamjeve është bërë në përputhje me ligjin.

Në përmbyllje, Fronti Evropian u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, pa dallime partiake, ta mbështesin këtë iniciativë, duke e cilësuar votën për Komisionin Anketues si një mbrojtje të transparencës, të vërtetës dhe llogaridhënies institucionale.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit