Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nisin hapat për ndërtimin e tunelit hekurudhor në Korridorin 8

Advertisement

Sot në Sofje u mbajt takimi i parë i grupit të përbashkët të punës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i dedikuar për përgatitjen dhe realizimin e ndërtimit të tunelit të përbashkët hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8.

Në përputhje me marrëveshjen, grupi i punës u bashkëkryesua nga zëvendësministrat e Transportit të të dyja vendeve. Nga pala e Maqedonisë së Veriut takimin e kryesoi zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ndërsa nga pala bullgare zëvendësministrja Cveta Timeva.

Përveç zëvendësministres Kaltrina Zekolli Shaqiri si bashkëkryesuese, në grupin e punës morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Transportit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe përfaqësues nga Ndërmarrja Publike për Infrastrukturë Hekurudhore dhe Hekurudhat Transport SHA – Shkup.

Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri theksoi se ndërtimi i tunelit hekurudhor ndërkufitar është një projekt strategjik me rëndësi rajonale, i cili do të lidhë hekurudhorisht dy vendet dhe do të kontribuojë në transport më të shpejtë dhe më efikas të mallrave dhe udhëtarëve, si dhe në rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Gjatë takimit, ku u diskutuan aktivitetet kryesore për përgatitjen dhe ndërtimin e tunelit, të dyja palët konfirmuan përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në të gjitha fazat e realizimit të projektit.

Po ashtu, u arrit pajtim për vendosjen e një dinamike të qartë të aktiviteteve, përcaktimin e detyrimeve konkrete të institucioneve kompetente të të dyja vendeve dhe vazhdimin e përgatitjeve të përbashkëta teknike për ndërtimin e tunelit ndërkufitar.

Anëtarët e grupit të punës përcaktuan hapat e ardhshëm për sigurimin e mbështetjes financiare dhe koordinimit teknik, duke riafirmuar angazhimin e përbashkët për përshpejtimin e realizimit të këtij projekti strategjik infrastrukturor.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e Korridorit 8 si një nga korridoret më të rëndësishme evropiane të transportit dhe nënvizuan mbështetjen e fuqishme që Komisioni Evropian ofron për realizimin e tij.

Në përputhje me përfundimet e miratuara, u dakordua që takimi i ardhshëm i grupit të përbashkët të punës të mbahet në Shkup, ku do të shqyrtohet zbatimi i aktiviteteve të dakorduara dhe do të përcaktohen hapat e mëtejshëm për realizimin e projektit.

Qeveria, përmes Ministrisë së Transportit, mbetet plotësisht e përkushtuar në realizimin e projekteve strategjike infrastrukturore dhe avancimin e infrastrukturës hekurudhore, me qëllim forcimin e lidhjes rajonale dhe integrimin në rrjetin evropian të transportit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit