VMRO-DPMNE: LSDM, BDI dhe Levica po bllokojnë reformat dhe përparimin e shtetit

Advertisement

VMRO-DPMNE akuzon LSDM-në, BDI-në dhe Levicën se, përmes manovrave politike, po bllokojnë përparimin e shtetit, duke penguar miratimin e Kodit Zgjedhor njofton INA.

Sipas partisë në pushtet, mosmiratimi i Kodit të ri Zgjedhor është dëshmi se këto tri parti janë të gatshme të pengojnë çdo proces që sjell përparim për Maqedoninë e Veriut, për hir të interesave të tyre politike.

“Kodi Zgjedhor nuk është çështje e politikës ditore, por një proces i rëndësishëm reformues. Miratimi i tij është i domosdoshëm për harmonizimin me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda Reformuese dhe për sigurimin e përparimit të mëtejshëm dhe përfitimeve për qytetarët.

Maqedonia e Veriut ka realizuar me sukses nëntë nga dhjetë reformat e parapara në Agjendën Reformuese. Pengesa e vetme mbetet bllokada e udhëhequr nga LSDM-ja, BDI-ja dhe Levica”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

Nga kjo parti vlerësojnë se sjellja e LSDM-së, BDI-së dhe Levicës tregon se, sa herë u jepet mundësia, ato zgjedhin obstruksionet dhe kalkulimet politike në vend të interesit shtetëror.

“Sipas tyre, për këto parti strategjia partiake është më e rëndësishme se përparimi i Maqedonisë së Veriut dhe përfitimet për qytetarët. Në vend që të marrin përgjegjësi dhe të kontribuojnë në miratimin e një ligji që është në interes të të gjithëve, ato përpiqen të krijojnë dramë politike dhe të paraqiten si viktima”, thuhet në reagim.

VMRO-DPMNE thekson se qytetarët duhet ta dinë se kush po e pengon zhvillimin e vendit dhe procesin e reformave.

Sipas partisë, mosmiratimi në kohë i Kodit Zgjedhor rrezikon edhe sigurimin e fondeve shtesë dhe mundësive që ofron Plani për Rritje i Bashkimit Evropian.

“Lojërat politike të LSDM-së, BDI-së dhe Levicës nuk do ta ndalin rrugën e reformave. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do të vazhdojë të punojë për përparimin e Maqedonisë së Veriut, ndërsa përgjegjësia për bllokadat mbetet te ata që i shkaktojnë”, përfundon reagimi i VMRO-DPMNE-së./INA/

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit