Shkup, 30 qershor – Sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajtën një sërë takimesh pune midis anëtarëve të Grupit Parlamentar Ndërpartiak kundër Korrupsionit, Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit dhe Komisionit për Financim dhe Buxhet me delegacionin e Kuvendit të Malit të Zi, i cili ndodhet për vizitë studimore në vend.
Siç informuan nga shërbimi për shtyp i Kuvendit, në përbërje të delegacionit malazez ishin deputetët Jasmin Qoroviq dhe Jevrosima Pejoviq, si dhe përfaqësuesit e Shërbimit të Kuvendit të Malit të Zi, të cilët shkëmbyen përvoja dhe mendime me nikoqirët e tyre mbi praktikat parlamentare, me theks në mekanizmat për parandalimin e korrupsionit dhe avancimin e mbikëqyrjes parlamentare.
Në takimin me përfaqësuesit e Grupit Parlamentar Ndërpartiak kundër Korrupsionit, bashkëkryesuesja Sonja Mirakovska, bashkë me anëtarët Antonijo Milloshoski, Sllavjanka Petrovska dhe Fatmir Bytyqi, prezantuan aktivitetet dhe rolin e këtij trupi parlamentar joformal në Kuvend. Mirakovska vuri në dukje se grupi ka 51 anëtarë dhe vepron me dy bashkëkryesues, me qëllim sigurimin e mbështetjes së gjerë ndërpartiake në luftën kundër korrupsionit.
Përfaqësuesit e Kuvendit të Malit të Zi informuan se trupi i tyre përkatës parlamentar ka status formal, gjatë të cilit u hap diskutimi mbi përparësitë dhe sfidat e të dy modeleve të funksionimit, si dhe mbi mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar.
Në kuadër të vizitës studimore, u mbajt edhe takimi me anëtarët e Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit, në të cilin morën pjesë kryetari i Komisionit, Mile Lefkov, anëtarja Kaltrina Beqiri dhe deputeti Dragan Nedellkoviq. Takimi iu kushtua shkëmbimit të përvojave në fushën e procedurave parlamentare, zbatimit të Rregullores dhe forcimit të integritetit institucional.
Kryetari i Komisionit, Mile Lefkov, i njoftoi anëtarët e delegacionit me Kodin Etik të Deputetëve në Kuvend të miratuar së fundmi, duke arsyetuar parimet themelore, qëllimet dhe mënyrën e zbatimit të tij. Ai informoi se brenda 45 ditëve, Kuvendi do të krijojë një trup pune përgjegjës për monitorimin e zbatimit dhe respekimit të tij.
Përfaqësuesit e Kuvendit të Malit të Zi e përshëndetën miratimin e Kodit Etik, duke e vlerësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të standardeve parlamentare, transparencës dhe integritetit të deputetëve. përcjell Zhurnal.mk .





