Shkup, 29 qershor – Komuna e Çairit njofton se edhe gjatë kësaj jave do të vazhdojnë aktivitetet parandaluese në kuadër të platformës “Çairi në ritmin e shëndetit”, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve gjatë periudhës së temperaturave të larta.
Sipas njoftimit, çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00, ekipet mjekësore do të jenë të pranishme në tri lokacione të ndryshme, ku qytetarët do të mund të marrin këshilla profesionale dhe të përfitojnë shërbime shëndetësore falas.
Në Parkun e Çairit dhe në Çarshinë e Vjetër, para Xhamisë Mustafa Pasha, do të jenë të angazhuara ekipe mjekësore nga Shtëpia e Shëndetit Shkup, ndërsa në Parkun “Rinia” qytetarët do të mund të konsultohen me mjekë epidemiologë nga Qendra për Shëndet Publik – Shkup.
Në kuadër të aktivitetit, qytetarëve do t’u ofrohen këshilla për mbrojtjen nga temperaturat e larta, matje falas të tensionit të gjakut dhe nivelit të sheqerit në gjak, rekomandime për veshje të përshtatshme gjatë ditëve të nxehta, si dhe broshura edukative me udhëzime praktike për ruajtjen e shëndetit.
Paralelisht me këto aktivitete, përfaqësues të Komunës së Çairit, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq, do të shpërndajnë shishe me ujë në lokacionet më të frekuentuara, me qëllim promovimin e hidratimit dhe parandalimin e pasojave që mund të shkaktojnë temperaturat e larta.
Nga Komuna theksojnë se qëllimi i kësaj nisme është informimi, parandalimi dhe mbështetja e qytetarëve gjatë sezonit veror, me fokus të veçantë te kategoritë më të ndjeshme të popullsisë.
Përmes pikave shëndetësore të vendosura në terren, qytetarët që jetojnë ose lëvizin në afërsi do të kenë mundësi të kryejnë kontrolle bazë shëndetësore, të marrin këshilla nga profesionistët e shëndetësisë dhe të informohen mbi masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit gjatë ditëve me temperatura të larta.
Komuna e Çairit apelon që qytetarët të kujdesen për shëndetin e tyre, duke theksuar se parandalimi mbetet mbrojtja më e mirë kundër rreziqeve që sjell vala e të nxehtit.përcjell Zhurnal.mk .





