Policia e Maqedonisë së Veriut gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar pesë persona nën dyshimet se kanë kryer dhunë në familje, duke sulmuar prindërit, bashkëshorten apo anëtarët e tjerë të familjes, transmeton Portalb.mk.
“Nëpunës policorë nga njësia policore në fshatin Zajas të rajonit të Kërçovës e privuan nga liria F.R. (45), pasi ishte denoncuar se në shtëpinë familjare kishte sulmuar motrën e tij me një send druri”, raportoi Policia.
Policia ka arrestuar edhe një 48 vjeçarë nga Strumica nën dyshimet se ka sulmuar fizikisht ish-partneren, pasi paraprakisht e kishte keqtrajtuar në mënyrë psikike dhe fizike.
“Në rrugën „108“ në Tetovë, nëpunës policorë nga SPB Tetovë e privuan nga liria P.A. (36), pas denoncimit të babait të tij 60-vjeçar, i cili deklaroi se në oborrin e shtëpisë familjare ai ishte sjellë në mënyrë agresive, kishte dëmtuar një pjesë të orendive shtëpiake dhe kishte kërcënuar atë dhe bashkëshorten e tij”, raportoi Policia.
Për shkak se e kishte ndjekur, shqetësuar dhe kërcënuar ish të dashurën, u arrestua 19 vjeçari nga Kriva Pallanka, ndërsa 18 vjeçari nga Velesi ishte arrestuar pasi nuk e kishte lejuar partneren 18 vjeçare të largohej nga shtëpia e tij.
Ndryshe, për shkak të këtyre rasteve, MPB po përgatit ndryshime në ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje, kryesisht në seksionin mbi masat urgjente dhe të përkohshme. Sipas njoftimit të ministri Pançe Toshkovski në fund të prillit, kjo përfshin futjen e një autoriteti të ri policor me të cilin një zyrtar i policisë, bazuar në një vlerësim të rrezikut, do të jetë në gjendje të lëshojë menjëherë një masë urgjente për të mbrojtur viktimën, d.m.th. ta largojë abuzuesin nga shtëpia, ta ndalojë atë të afrohet dhe ta ndalojë atë të kontaktojë me viktimën.
Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.





