Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore, Mevlan Ademi, së bashku me Çlirim Isenin, kanë zhvilluar një takim në Bruksel me deputetë të Parlamentit Evropian dhe këshilltarë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku kanë ngritur shqetësimet për moszbatimin e të drejtave gjuhësore dhe të Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Ademit, në takim morën pjesë eurodeputetët Kathleen Van Brempt dhe Thijs Reuten, si dhe këshilltarët për zgjerimin e BE-së, Joeri Maas dhe Ine Goris.
Gjatë bisedimeve, bashkëbiseduesit diskutuan për, siç u tha, situatën shqetësuese të moszbatimit të ligjit dhe të drejtave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe për mungesën e implementimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Njoftimi i plotë i Mevlan Ademit:
Patëm nderin me Çlirim Isenin të takojmë deputetët e Parlamentit Evropian, Kathleen Van Brempt dhe Thijs Reuten, si dhe këshilltarët për zgjerimin e Bashkimit Evropian, Joeri Maas dhe Ine Goris.
Gjatë takimit diskutuam për situatën shqetësuese të moszbatimit të ligjit dhe të drejtave kushtetuese që lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mungesën e implementimit të plotë të Marrëveshjes Ohrit.
Kërkuam që këto çështje të ngrihen si temë në Parlamentin Evropian dhe në institucionet e Bashkimit Evropian, me qëllim që të adresohen shkeljet dhe vonesat në zbatimin e detyrimeve kushtetuese. Gjithashtu, theksuam se çështja dhe pozita e shqiptarëve në Maqedonin e Veriut duhet të trajtohen me prioritet, duke respektuar rolin e tyre si popull shtetformues dhe faktor kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit, e jo thjesht si një pakicë etnike.
Falënderim i veçantë për Ismet Ajetin, një atdhetar i përkushtuar që jeton dhe vepron në Belgjikë, për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe të paharrueshme në Bruksel. Po ashtu, falënderim për Ismet Ademin, kryetar i Shoqatës “Ilirida” në Bruksel, për angazhimin dhe kontributin e tij në ruajtjen e vlerave kombëtare në mërgatë.
Sa herë që vij në mërgim dhe takoj bashkatdhetarë të tillë, e kuptoj edhe më shumë se sa i fortë është kombi ynë kur qëndron i bashkuar.
Kombi mbi të gjitha!





