Kuvendi konstatoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Arben Fetai

Kuvendi në kuadër të seancës së sotme të 104-të ka konstatuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai. Zëvendëskryeministri Fetai paraqiti dorëheqjen më 1 qershor të cilën e bëri të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale. Fetai tha në postimin në Fejsbuk se largohet nga pozicioni me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër.

“Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues. A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po”, shkroi Fetai.

Në seancën e sotme, Kuvendi përcaktoi nevojën për miratimin e disa ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore përmes procedurës së shkurtuar, duke përfshirë ligjet për menaxhimin e pronës së konfiskuar, komunikimet elektronike, gjykatat, Këshillin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale, zonat e gjelbra industriale, efikasitetin energjetik, pyjet, tokën bujqësore, ndërtimin dhe planifikimin urban.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, para deputetëve theksoi se qëllimi kryesor i propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural është përmirësimi dhe forcimi i kornizës ligjore dhe institucionale për menaxhimin, kontrollin dhe pagesën e mbështetjes financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, me theks të veçantë në fondet nga Bashkimi Evropian (në tekstin e mëtejmë IPARD).

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekoli-Shaqiri në shpjegimin e saj tha se qëllimet kryesore të Projekt- ligjit për ndryshimet në Ligjin për ndërtim janë harmonizimi me dispozitat e Rregullores së planifikimit urban dhe dispozitat e Ligjit për planifikimin urban, në mënyrë që ndërtimet me klasën e qëllimit “G4.7 – Ndërtime për ruajtjen e të dhënave digjitale” (qendrat e të dhënave) dhe ndërtimet e parashikuara nga plani urbanistik për zonat dhe ndërtesat me peshë shtetërore, parashikohen si ndërtesa të kategorisë së parë.

“Ndërsa për ndërtimin e objekteve të magazinimit të energjisë elektrike me të gjitha pajisjet shoqëruese elektroteknike vetëm për nevojat dhe brenda objekteve ekzistuese për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme (energjia e erës, diellore dhe hidroenergjia), parashikohet procedurë për regjistrim në Agjencinë e Kadastrës së pasurive të paluajtshme, me qëllim rregullimin e statusit pronësor dhe juridik të të njëjtës”, tha ajo.

Zëvendësministrja e Transportit theksoi në shpjegimin e saj se qëllimet kryesore të Propozim- ligjit për ndryshimet në Ligjin për Planifikimin urban, përmes një procedure të shkurtuar, janë shkurtimi i afateve për kryerjen e procedurave për ndërtimet për prodhimin dhe ruajtjen e energjisë, ndërtimet për ruajtjen e të dhënave digjitale, si dhe objektet dhe infrastrukturën shoqëruese që janë të nevojshme për funksionimin e qetë të këtyre ndërtimeve. Ajo thekson se në pjesën e shndërrimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore, ky ligj i referohet harmonizimit me Ligjin për tokën bujqësore.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit