Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar planet për ndërtimin e një Qendre të re Klinike moderne në Shkup, pranë pishinës “Boris Trajkovski” në komunën e Karposhit.
Sipas tij, kjo qendër do të jetë e pajisur me teknologji bashkëkohore dhe do të ofrojë shërbime jo vetëm për qytetarët e vendit, por edhe për pacientë nga shtetet fqinje.
Mickoski tha se qeveria po punon paralelisht në përfundimin e disa projekteve të rëndësishme shëndetësore në Shtip, Kërçovë dhe Tetovë, ndërsa pret që ndërtimi i Qendrës Klinike në Shkup të nisë gjatë vitit të ardhshëm.
Në kuadër të projektit është paraparë edhe ndërtimi i një kalimi nëntokësor që do ta lidhë kompleksin e ri me Spitalin “8 Shtatori” dhe Poliklinikën “Bukuresht”, me qëllim përmirësimin e qasjes dhe funksionimit të sistemit shëndetësor.
Megjithatë, projekti mbetet ende në fazën e planifikimit, pasi shteti nuk e ka blerë ende tokën ku parashihet të ndërtohet Qendra e re Klinike.





